TikTok tashmë mund të shkarkohet lehtësisht edhe në Amerikë, pasi platforma është rikthyer për përdorim në gjigantët e teknologjisë Apple dhe Google. Kjo ka ardhur pasi Donald Trump ka siguruar këto kompani se nuk do të gjobiten nëse e rivendosin aplikacionin për përdorim.
Aplikacioni popullor i përdorur nga pothuajse gjysma e të gjithë amerikanëve, u ndalua për pak kohë muajin e kaluar, përpara se një ligj të hynte në fuqi më 19 janar që kërkonte që pronari i tij kinez ByteDance ose ta shesë atë për arsye të sigurisë kombëtare ose të përballet me një ndalim.
Të nesërmen, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkonte të vonojë zbatimin e ndalimit me 75 ditë, duke lejuar TikTok të vazhdojë përkohësisht operacionet e tij në SHBA. Megjithëse TikTok rifilloi shërbimin pas garancive të Trumpit, Google e hoqi atë nga Play Store dhe Apple nga App Store. Por, TikTok, aplikacioni i dytë më i shkarkuar në SHBA vitin e kaluar, së fundmi ka njoftuar se tashmë është i disponueshëm përsëri për shkarkim.
Bëhet e ditur se vonesa mund të ishte për shkak se Google dhe Apple po prisnin garanci se nuk do të ndiqeshin penalisht për shpërndarjen e aplikacionit. Ndërsa direktiva e Trump-it thoshte se kompanitë nuk do të përballeshin me ndëshkime për mbajtjen dhe funksionimin e aplikacionit. Raportohet se TikTok pati më shumë se 52 milionë shkarkime në vitin 2024, sipas Sensor Tower. Rreth 52% e shkarkimeve totale të tij ishin nga App Store i Apple, ndërsa 48% ishin nga Google Play.
Ligji që kërkon që ByteDance të shesë asetet e TikTok në SHBA ose përfundimisht të përballet me një ndalim, u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm Joe Biden në prill të vitit të kaluar, i shkaktuar nga shqetësimet e sigurisë kombëtare dhe frika se Kina mund të përdorë aplikacionin e ndarjes së videove për të spiunuar përdoruesit amerikanë. SHBA nuk ka ndaluar kurrë një platformë të madhe dhe ligji që miratoi vitin e kaluar i jep qeverisë autoritet gjithëpërfshirës për të ndaluar ose kërkuar shitjen e aplikacioneve të tjera në pronësi kineze.
Discussion about this post