Një dasmë shqiptare në fshatin Lubinjë e Ulët në Prizren, i cili banohet nga boshnjakët ka bërë jehonë edhe në mediet ndërkombëtare. Reuter i ka bërë jehonë dasmës së Melsid Rexhepit me Melissa Guerrero nga SHBA-ja.
Amerikania Melissa Guerrero ishte e mahnitur kur mori pjesë në një dasmë tradicionale në vizitën e saj të parë në Lubinjë të Ulët afër qytetit të Prizrenit, në vitin 2013 për të takuar familjen e të dashurit të saj të shkollës së mesme dhe që ajo ëndërronte shumë që një të tillë ta bëjë edhe vetë.
Javën e kaluar Melissa, 30 vjeçe, e realizoi atë ëndërr. E veshur nga koka te këmbët me kostum tradicional, fytyra e saj e lyer me të bardhë me spraj të përpunuar dhe pika të kuqe, blu, ari dhe argjendi, u martua me Melsid Rexhepin, i cili është nga një familje boshnjake në Kosovë, shkruan Reuters.
Melsidi ishte vetëm shtatë vjeç kur filloi lufta në Kosovë dhe familja e tij u shpërngul për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Reuters, në shkrimin që i jep vëmendje traditës shqiptare në dasma, thuhet se “teksa Melissa përgatitej për ceremoninë e dasmës, muzika e fortë e daulleve binte teksa një grua e moshuar lyente fytyrën e saj, një proces që zgjat rreth dy orë. Gjatë 2 orëve nusja nuk mund të hapë sytë, të flasë me askënd ose të hajë dhe pijë. Kuzhinierët që kishin therur një dem të madh përgatitën ushqim për një festë me qindra njerëz”.
Për vizitën e saj të parë në Kosovë foli edhe Melissa, e cila tha se “kur erdha për herë të parë në vitin 2013, isha dëshmitare e një dasme këtu dhe thjesht mendova se ishte kaq e pasur dhe kaq e veçantë dhe është diçka që nuk e kisha parë kurrë askund tjetër në botë.”
Ajo është dizajnere grafike e lindur në Meksikë. Ndërsa, për një ish-profesor të biologjisë në Prizren, Xhavit Rexhepi, të gjitha ngjyrat e linjat në fytyrën e nuses simbolizojnë lumturinë, dashurinë e respektin.
Discussion about this post